Në kuadër të përfundimit të Programit të Punësimit në fushën e punës komunitare, morëm pjesë në takimin përmbyllës pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Tiranë, së bashku me kolegë dhe miq nga organizata të tjera të cilat advokojnë të drejtat e minoritetit rom dhe egjiptian.
Disa nga zonjat që përfituan prej këtij programi ishin të pranishme dhe treguan për eksperiencën e tyre. Veç të tjerash ato paraqitën problemin kryesor që ka ky program, mbylljen e tij pas një viti dhe kalimit të tyre sërish si të papuna, pasi vendet e punës janë të hapura në kuadër të një buxheti më vete. Në varësi të bashkisë ose njësisë përkatëse, disa prej tyre shprehin shqetësimin se mund t’ju ndërpritet edhe ndihma ekonomike.
Një zgjidhje e mundshme do ishte përfshirja e tyre në programe paralele punësimi, për të mundësuar që të mos përfundojnë sërish në kushte të vështira ekonomike, në varfëri ekstreme. Pjesa më e madhe prej tyre janë banore pranë banesave sociale në Shkozë.
Ministrja Manastirlliu premtoi zgjerim të ndihmës për punësim dhe arsimim për komunitetin rom dhe egjiptian, duke kërkuar veprim të mëtejshëm në terren por ende nuk kemi ndonjë përgjigje për problemet e parashtruara.