Një zonjë lehonë, e burgosur 8 ditë pas lindjes, banore e qytetit të Shkodrës, që aktualisht vuan dënimin në burgun 325 të grave në Tiranë, po pret vendimin e gjykatës për pezullim ose jo të vendimit për dënim me burg. Po shpresonim, ne si organizatë por edhe opinioni publik, për një reagim të shpejtë të institucioneve, pas dërgimit të kërkesës nga pala mbrojtëse për pezullimin e vendimit, sipas pikës 2 të nenit 476 të Kodit Penal. Gjykata ka të drejtë ta miratojë ose rrëzojë kërkesën brenda afatit të pesë ditëve.
Zonja nuk paraqet rrezik për shoqërinë dhe është dënuar për braktisje të fëmijës nga martesa e parë, në kushte të dyshimta. Nuk mund të themi në është hetuar siç duhet apo jo, por bashkëshorti aktual pretendon se e shoqja është dëbuar nga shtëpia dhe nuk e ka braktisur me dëshirë të bijën nga martesa e saj e parë.
Ndarja nga fëmija mund të shkaktojë dëme të mëdha psikologjike dhe fizike si tek fëmija, ashtu dhe tek nëna. Rikujtojmë se djali është në kujdesin e babait dhe një kushurire të mitur, 11 vjeç. Presim nëse do ketë një reagim ditën e nesërme, për të vazhduar më pas me hapa të tjerë.
