Luljeta Preza u gjend e vrarë dje poshtë Urës së Dajlanit në Durrës, por tmerret për 32 vjeçaren nuk nisën natën e kobshme të vdekjes. Prej vitesh ajo jetonte nën këtë urë ku lypte dhe shiste trupin për kacidhe.
Ne nuk e dimë nëse Luljeta kishte një familje ose jo, por ajo që dimë është që shteti e braktisi në mëshirë të fatit dhe keqbërësve, për të vdekur në moshën ku vajzat dhe gratë janë në pikun e produktivitetit dhe rinisë së tyre. Parlamenti i Republikës së Shqipërisë prej muajit mars të këtij viti mban në sirtar projektligjin për minimumin jetik, por heziton ta miratojë.
Minimumi jetik i garantuar do siguronte ushqim bazë dhe dinjitet për shqiptarët që po vdesin rrugëve të këtij vendi nga varfëria ekstreme. Vrasja e Luljeta Prezës është një alarm i madh për shoqërinë shqiptare, një paralajmërim për humbjen e një kompasi moral dhe ndërgjegjes qytetare në këtë vend.
Organizata Drejtësi Sociale apelon për miratimin e këtij ligji dhe zbatimin e tij, për sigurimin e dinjitetit për të gjithë ata shqiptarë që janë në këto momente në rrezik për jetën e tyre.
