Në emisionin e së premtes së 14 prillit, “Më lër të flas” në Top Channel, avokati Spartak Ngjela ka tronditur opinionin publik me një deklaratë të tij, në lidhje me dhunën seksuale. Sipas tij, gratë “e shtrënguara për përdhunim dorëzohen nga kënaqësia”, si dhe disinformoi publikun në lidhje me ligjin anglez. Në këtë ligj sipas kërkimeve tona nuk ka asnjë të dhënë mbi kohën e rezistencës nga pala e dhunuar siç tha Ngjela dhe se pëlqimi jepet aktivisht.
Ja si përcaktohet në ligjin anglez: -“Përdhunim konsiderohet edhe kur i/e dhunuara nuk mund të japë pëlqim për shkak të gjendjes jokoshiente (në gjumë, dehje etj), edhe kur qëndron pasiv para dhunuesit por dhunuesi ka dijeni që pala nuk e dëshiron një akt seksual”.
Ne jemi të tronditur si organizatë për mungesën totale të reagimit të institucioneve dhe grupimeve formale ose informale që mbrojnë të drejtat e grave për këto deklarata në një televizion kombëtar dhe kemi dërguar dy kërkesa për shqyrtim, tek Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe tek Autoriteti i Mediave Audiovizive në lidhje me rastin në fjalë. Shpresojmë që të gjykohen siç duhen dhe të merren masat e duhura, për të ndaluar përsëritjen e këtyre ngjarjeve skandaloze që dëmtojnë direkt viktimat e dhunës seksuale si dhe nxisin më tej dhunën seksuale ndaj vajzave dhe grave.
