Sot ne banoret e rrugës “Llambi Bonata” në Kombinat u përballëm me pronarin dhe inxhinierin e kompanisë FIDALB sh.p.k për të diskutuar kundështimet në lidhje me ndërtimin e një pallati 7-katësh në një hapësirë publike që është përdorur si lulishte për banorët e zonës. Banorët kanë shprehur kundërshtimin e tyre për këtë projekt për shkak të disa arsyeve:
1. Hapësira në fjalë nuk ka pasur asnjëherë pronar privat që prej ndërtimit të pallateve parafabrikate në zonë.
2. Kjo hapësirë ka qenë gjithmonë pjesë e tokës së përbashkët dhe e përdorur si hapësirë rekreative për banorët.
3. Leja e ndërtimit është dhënë për një rrugë tjetër, “Sabaudin Gabrani”, e cila ndodhet në një vend tjetër në afërsi të Misto Mames, ndërsa pallati do të ndërtohet në rrugën “Llambi Bonata”.
4. Sipas vlerësimeve të bëra pas tërmetit të Nëntorit 2019, toka në këtë zonë është toke kenetore dhe nuk duhet të ndërtohen objekte më të larta se 4 kate, për të shmangur rrezikun nga tërmetet e ardhshme. Bashkia kishte argumentuar se ky ishte arsyetimi për mosndërtimin e pallateve të reja në zonat që ishin prekur nga tërmeti.
5. Banorët besojnë se duhet të konsultohen dhe të marrin pjesë në vendimet për ndërtime të tilla në zonën e tyre.
6. Për çdo ndërtim të ri, duhet të kryhet një vlerësim i impaktit në mjedis dhe të kuptohet se si do të ndikojë kjo në jetën dhe mjedisin e qytetarëve.
Për këto arsye, banorët kërkojnë që kompania të argumentojë dhe të bindë banorët për këto kundështime.
Ne jemi këtu për të mbrojtur hapësirën tonë të përbashkët sado e vështirë që mund të jetë.