Znj. E.S është anëtare e minoritetit egjiptian në qytetin e Korçës. Para disa javësh konkuroi për një vend pune si specialiste për informimin e qytetarëve pranë bashkisë Korçë. Pas vlerësimit të testimit me shkrim, jetëshkrimit, u thërrit për intervistë.
Para disa ditësh i erdhi përgjigja me email ku njoftohej se nuk ishte përzgjedhur si kandidate fituese. Njoftimi tregonte dhe pikët e vlerësimit për të tre komponentët nga ana e Njësisë së Menaxhimit të Burimeve Njerëzore pranë Bashkisë Korçë. Përveç vlerësimit qesharak të jetëshkrimit, të bie në sy dhe procedura e ndjekur në shkelje të ligjit.
VKM-ja Nr. 243 datë 18.03.2015 përcakton se: “Nëse kandidati grumbullon mbi 45 pikë nga vlerësimi me shkrim dhe vlerësimi i jetëshkrimit së bashku, ai kualifikohet për intervistën e strukturuar me gojë”.
Ndërkohë, sipas vlerësimit të Njësisë znj. E.S nuk ka grumbulluar 45 pikë në vlerësimin me shkrim dhe jetëshkrimin. Atëherë, si u thërrit për intervistën me gojë?!!!
E mbështetëm zonjën duke i përgatitur ankesën drejtuar Njësisë, si dhe do ta mbështesim në proces gjyqësor.