Gjuha e urrejtjes në fushatën elektorate gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2023 u adresua sot në emisionin Virtual Wars në ABC, ku komunikimet e fundit të kryeministrit dhe ish-kryeministrit Berisha ishin në qendër të vëmendjes. I ftuar për të diskutuar ishte avokati Sejrani.
“Përdorimi i gjuhës së urrejtjes fatkeqsisht është një valvul shkarkimi në debate të caktuara politike. Minoritetet dhe grupet të caktuara me aftësi ndryshe përdoren në të tilla raste. Imagjinoni sikur të kishin vërtetë kandidatë nga këto minoritete ose grupe, sa larg jemi ne me këtë qasje në komunikim.” tha avokati.
Qytetarët e minoriteteve këtë vit ishin në nivelin më të ulët ndonjëherë të përfaqësimit si në lista të këshillave bashkiakë, por sigurisht si përherë, nuk kanë asnjë përfaqësim në nivel kandidatësh. Ndërsa në Europë ngjyra nuk përbën asnjë problem për dikë për të pasur një karrierë në politikë, në Shqipëri, për të ofenduar një kundërshtar politik, përdor terma denigrues për njerëzit me ngjyrë ose aftësi ndryshe, si të ishte gjëja më normale në botë.
“Do doja që kjo fushatë të mos vazhdonte si në vitet e shkuara,” vazhdoi Serjani. “Në qytetet kryesore, ka një numër të madh të minoriteteve rom dhe egjiptian që ndikojnë në rezultatin përfundimtar, dhe nuk është normale që të denigrohen ata për të goditur kundërshtarin politik.”
