Ngjarja e sotshme para SPAK, na dëshmoi edhe njëherë se ky vend ka nevojë për heronj që vendosin jetën e tyre si kolateral apo dëshmi për të na vërtetuar se ky është një sistem kriminal që shkatërron edhe merr përditë jetë njerëzish.
Skandali i Spitalit Onkologjik u bë publik prej një gruaje që ishte viktimë e kësaj skeme kriminale, sepse nuk mjaftonte përvoja e secilit prej nesh që ka hyrë në ato dyer dhe është përballur me të njejtat kushte, të njejtat sjellje dhe të njejtin shërbim.
Skema korruptive e mikrokredive ka disa denoncime në SPAK, ka qindra raste në gjykatë ku disa prej të cilave po i ndjekim dhe ne si organizatë. Skema është korruptive prej mënyrës se si jepet, mënyrës se si konfiskohen pasuritë edhe pse nuk ishin lënë si kolateral në momentin që kredia ishte marrë përmes telefonit apo vetëm përmes një karte identiteti. Raste të tjera janë penalizuar edhe në pagën minimale të cilën ato marrin, duke i shtyrë këta njerëz të lënë dhe punët përmes të cilave jetojnë.
Ky vend dhe kjo shoqëri ka prodhuar mjaftueshëm heronj dhe ne duhet të prodhojmë një shoqëri aktive dhe pjesëmarrëse që nuk ka nevojë që ngjarja të marrë këto përmasa për të reaguar, dhe të krijojmë instuticione që të mos reagojnë kur dëmi bëhet por të jenë të gatshme edhe të parandalojnë dëme me pasoja të tilla.
Edhe njëherë, ne si organizatë shprehim ngushëllimet për familjarët e të ndjerit Pal Trashaj dhe inkurajojmë instuticionet të bëjnë detyrën për ti dhënë fund këtij modeli kriminal dhe inkurajojmë qytetarët të mos heshtin para këtyre fenomeneve!
