Mungesa e informacioneve ligjore shpesh përdoret për të abuzuar me familjet egjiptiane dhe rome dhe nga ata/o që marrin përsipër të mbrojnë interesat e tyre. I tillë është rast i çiftit egjiptian nga qyteti Pogradecit.
Para disa vitesh çifti bashkë me fëmijët është përfshirë në një aksident automobilistik. Nga ky aksident të gjithë anëtarët e familjes kishin pasoja shëndetësore, por njëra nga fëmijët ka pasoja shëndetësore që do ti vuajë gjithë jetën.
Në këtë kohë një avokat i’u ofrua për të ndjekur çështjen për përfitimin e dëmshpërblimit si pasojë e aksidentit, duke marrë përsipër të gjitha shpenzimet. Të gjendur para këtij fakti, çifti i jep prokurën avokatit për të kryer çdo veprim administrativ dhe bankar, si dhe përfaqësimin në seancat gjyqësore.
Gjatë procesit gjyqësor avokati nuk i informoi asnjëherë për ecurinë e çështjes, madje as për shumën e dëmshpërblimit. Çifti u njoftua rastësisht nga banka që kishin fituar 120 mijë euro dëmshpërblim, ndërkohë që avokati i kishte dhënë vetëm 30 milion lek dhe në shkelje të kontratës sipas tyre.
Në këtë situatë i sugjeruam çiftit të bënte ndaj avokatit një ankesë pranë Dhomës Kombëtare për shkelje të Kodit të Etikës.