[SHQIP] DEKLARATË
Rasti Andrés: Thirrje për drejtësi dhe mbrojtje të viktimave të trafikimit
Historia e Andrés, një vajze të re nga Kolumbia, e cila u mashtrua me premtimin për punësim të rregullt në Shqipëri, por përfundoi viktimë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikimit të qenieve njerëzore, është një dëshmi tronditëse e boshllëqeve serioze në funksionimin e shtetit shqiptar dhe e mungesës së mekanizmave mbrojtës për viktimat. Ky rast nuk është i izoluar: ai duhet të lexohet si një sinjal alarmi për institucionet tona, për politikëbërësit dhe për të gjithë shoqërinë.
Pasditja kur e takuam Andrés në Elbasan, të frikësuar dhe pa asnjë mjet identifikimi, me vetëm dy valixhe në duar, nxori në pah dështimet e një sistemi që ende nuk arrin të mbrojë më të brishtët. Për disa ditë ajo kishte qenë e mbyllur dhe e shfrytëzuar nga një rrjet kriminal, për t’u arrestuar më pas nga policia shqiptare dhe për të vuajtur një dënim prej 9 muajsh në burgun e grave në Pogradec, nën akuzën e “Prostitucionit”, pavarësisht provave që dëshmonin se ajo kishte qenë viktimë e mashtrimit dhe shfrytëzimit.
Pas daljes nga burgu, ajo hasi sërish në një boshllëk administrativ absurd: pa pasaportë, pa dokumente dhe pa mjete ekonomike, u la e ekspozuar ndaj rrezikut të një trafikimi të dytë. Fatmirësisht, bëhej fjala për gjuhën spanjolle, një nga gjuhët më të përhapura në botë, dhe gjithashtu me fat që kjo ngjarje ndodhi në kryeqytet – pale të bëhej fjala për një gjuhë më të rrallë dhe një qytet më të vogël! Vetëm ndërhyrja jonë dhe bashkëpunimi me disa media të ndjeshme mundësuan strehimin e saj të përkohshëm, sigurimin e ushqimit dhe mbrojtjes, si dhe ndihmën për të marrë statusin e viktimës së trafikimit. Por edhe ky proces u bë i mundur vetëm pas përpjekjeve private për të gjetur e paguar një përkthyes, pasi institucionet shtetërore nuk ishin të përgatitura të ofronin shërbime minimale për një shtetase të huaj në nevojë.
Ky rast është pasqyra më e qartë e dështimeve strukturore të shtetit shqiptar:
-
Dështimi në mbrojtjen e viktimave. Viktimat e trafikimit trajtohen shpesh si të pandehura. Në vend që të mbrohen, ato ndëshkohen, duke minuar zbatimin e ligjit dhe duke e shndërruar viktimën në fajtor. Kjo bie ndesh me parimet e të drejtave të njeriut dhe me detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë.
-
Boshllëqe të rënda ligjore dhe administrative. Procedurat e zvarritura për kthimin e dokumenteve identifikuese janë një tregues i qartë se sistemi nuk është i aftë të mbrojë në kohë reale një viktimë, duke e lënë atë të pambrojtur për periudha të gjata dhe duke i rritur rrezikun e rikthimit në rrjetet e trafikimit.
-
Mungesë kapacitetesh institucionale. Policia e Shtetit nuk ishte në gjendje të siguronte një përkthyes të gjuhës spanjolle, duke e bërë të pamundur marrjen e deklaratës së viktimës sipas standardeve të duhura. Kjo është një shenjë alarmante e papërgatitjes së strukturave shtetërore për të menaxhuar rastet ndërkombëtare të trafikimit dhe për të respektuar detyrimet e saj në kuadër të konventave ndërkombëtare.
-
Rreziku për shtetasit e huaj në Shqipëri. Rasti i Andrés ngre pyetje të mëdha mbi mënyrën se si trajtohen qytetarët e huaj që vijnë në Shqipëri, veçanërisht gratë e reja nga vende si Kolumbia, Kina, Rusia e të tjera, të cilat shpesh gjejnë në vendin tonë jo mundësi, por pasiguri dhe shfrytëzim.
Ky rast na tregon se Shqipëria nuk e ka luksin të qëndrojë më në nivelin e deklaratave formale dhe fjalimeve ndërkombëtare. Është koha për veprime konkrete:
-
Reforma urgjente në sistemin e drejtësisë. Nevojitet një qasje e re, ku viktima të trajtohen si të tilla që në momentin e parë dhe të mos penalizohen për krime që janë detyruar të kryejnë nën shfrytëzim.
-
Mekanizma emergjentë administrativë. Institucionet duhet të garantojnë që dokumentet e viktimave t’i kthehen atyre menjëherë, për të shmangur rrezikun e rikthimit në trafikim.
-
Rritje të kapaciteteve shtetërore. Policia, prokuroria dhe shërbimet sociale duhet të jenë të pajisura me përkthyes, psikologë dhe profesionistë të tjerë që garantojnë trajtim dinjitoz dhe profesional të viktimave.
-
Strategji kombëtare gjithëpërfshirëse. Lufta kundër trafikimit nuk është çështje vetëm e policisë apo gjykatave; ajo kërkon politika të integruara që përfshijnë arsimin, ekonominë, mbrojtjen sociale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Historia e Andrés nuk duhet parë vetëm si histori personale, por si një thirrje për reformim të thellë politik dhe institucional. Shqipëria ka detyrimin ligjor, moral dhe politik që të sigurojë që asnjë vajzë tjetër të mos përjetojë atë që përjetoi ajo. Ky është një moment që nuk duhet humbur: një moment për të transformuar dhimbjen dhe sfidën në veprim politik dhe shoqëror.
Andrés ia doli të kthehej në shtëpi. Por pyetja e madhe që mbetet është: A do të mund të mbijetonte ajo po të mos kishte gjetur mbështetjen e disa aktivistëve? Kjo pyetje duhet të udhëheqë institucionet, politikëbërësit dhe shoqërinë civile në rrugën për të ndërtuar një sistem që mbron, shpëton dhe rehabiliton.
Drejtësi Sociale

